Rreth nesh
Autorët e Fjalorit serbisht-shqip
Qemal Murati lindi më 6.8.1955 në Tuhin të Kërçovës – Republika e Maqedonisë së Veriut. Ka kryer studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës (1975–1979). Në vitin l983 mori gradën e magjistrit me studimin Ndikimet reciproke midis shqipes dhe maqedonishtes, ndërsa në vitin l989 ka marrë gradën e doktorit të shkencave filologjike në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, me temën Sllavizmat në të folmet shqipe të Maqedonisë. Nga viti 1982 punon si bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Gjuhësisë. Më l985–86 ka realizuar një qëndrim specializimi për gjuhësi në Universitetin e Sorbonës në Paris. Nga viti 2008 është anëtar i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Ka qenë dekan dhe profesor universitar në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës. Në harkun kohor l990–2020 ka botuar 43 vepra me tematikë nga leksikografia dhe fjaloristika, dialektologjia, historia e gjuhës shqipe dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët fqinje, kultura e gjuhës, onomastika, ballkanistika, etj. Është Kryeredaktor i revistës Gjuha Shqipe, Instituti Albanologjik i Prishtinës (1989–1990; 2005– 2020), Kryeredaktor i revistës Studime Albanologjike, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup (2011–2018), si dhe themelues dhe drejtues i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës (2007–2010).
Hysen Matoshi (1967), filolog, këshilltar shkencor në Degën e Letërsisë dhe drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Është autor i disa projekteve shkencore që janë botuar si monografi dhe i më se 300 njësive bibliografike (studime letrare dhe gjuhësore, recensione shkencore, kritika, vështrime etj.) që kanë parë dritën e botimit në faqet e periodikut shkencor dhe në shtypit të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë etj. Është redaktor profesional dhe redaktor gjuhësor i dhjetëra librave me studime albanologjike. Ka marrë pjesë në më se 100 aktivitete të ndryshme shkencore të organizuara në Kosovë dhe jashtë saj. Për vite të tëra ka ligjëruar lëndë të letërsisë dhe të gjuhës shqipe në universitetet e Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës etj. Ndër veprat e tij më të rëndësishme veçojmë monografitë: Poezia e Lasgush Poradecit në kontekstin e poezisë evropiane dhe Stilet në letërsinë shqipe ndërmjet dy luftërave botërore.
Autorët e Fjalorit shqip-serbisht
Merima Krijezi ka lindur në Beograd në 1972. Është diplomuar në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në Beograd më 1997. Në të njëjtin fakultet ka marrë gradën e magjistrit të shkencave në vitin 2006, pasi ka mbrojtur tezën me titull Përdorimi i së pakryerës në shqip dhe serbisht. Në vitin 2013 u doktorua, ka mbrojtur disertacionin me titull Kuptimi i parafjalëve në shqip dhe serbisht. Tani është e punësuar si profesoreshë asistente në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Beogradit. Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Është autore dhe bashkautore e dhjetëra punimeve shkencore dhe profesionale, kryesisht në fushën e gjuhësisë teorike dhe të zbatuar lidhur me gjuhët shqipe dhe serbe. Që nga viti 2006, ka qenë bashkëpunëtore e përhershme e Institutit për Përparimin e Arsimit në Beograd. Gjatë viteve 2009 dhe 2010 ka bashkëpunuar me Institutin për Vlerësimin e Cilësisë së Mësimdhënies në Beograd (lëndët: Gjuha shqipe dhe Letërsia shqipe), ndërsa në periudhën 2004–2012 ka qenë kontribuese e rregullt e revistës për letërsi, art dhe kulturë Sveske (Pançevë). Fushat e saj të interesit shkencor përfshijnë kryesisht filologjinë dhe albanologjinë, dhe veçanërisht gjuhën dhe letërsinë bashkëkohore shqipe, morfologjinë, sociolinguistikën, frazeologjinë, sintaksën, teorinë e përkthimit dhe studimet ballkanologjike. Ajo është e angazhuar në veprimtari përkthimi dhe ka botuar deri më tani një numër të madh përkthimesh, kryesisht tekste letrare (prozë dhe poezi) nga serbishtja, shqipja dhe anglishtja.
Ana Sivaçki ka lindur në Beograd në 1978. Ka përfunduar studimet universitare, si edhe ato postuniversitare dhe doktorale në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në Beograd. Në vitin 2006, ka mbrojtur tezën e masterit Rishikimi krahasimtar i zhvillimit historik të zanoreve në shqip dhe serbisht në fushën shkencore të fonetikës historike. Ka marrë gradën e doktorit më 2017, pasi ka mbrojtur disertacionin me titull Frazeologjizmat me një përbërës të origjinës somatike në shqip dhe ekuivalentët e tyre përkthimore në gjuhën serbe në fushën e frazeologjisë kontrastive shqiptaro-serbe. Gjatë studimeve të doktoratës, ka qenë e angazhuar si bashkëpunëtore mësimore në Departamentin e Gjuhës Shqipe në Beograd për lëndët Hyrje në Albanologji dhe Historia dhe Dialektologjia e Gjuhës Shqipe. Është e angazhuar profesionalisht si përkthyese e specializuar dhe teknike (serbisht, anglisht, shqip dhe frëngjisht) dhe bashkëpunon me shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare dhe vendase si gjuhëtare-këshilltare, përkthyese dhe lektore për gjuhët serbe, angleze dhe shqipe. Ka marrë pjesë dhe ka ligjëruar në shumë konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Është autore dhe bashkëautore e dhjetëra punimeve shkencore dhe profesionale, kryesisht në fushën e frazeologjisë krahasimtare dhe kontrastive të gjuhës shqipe dhe serbe, si edhe në fushën e gjuhësisë së kontaktit. Fushat e tjera të interesit hulumtues-shkencor të saj përfshijnë leksikografinë, semantikën dhe dialektologjinë e gjuhës shqipe, epikën krahasimtare shqiptaro-serbe, traduktologjinë etj.
Predrag Mutavxhiq (1967, Subotica) është profesor i asociuar në Departamentin e Studimeve Neo-Helene të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit, ku është diplomuar në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe (1991) dhe në Departamentin e Studimeve Neo-Helene (2000). Në Fakultetin e Filologjisë, ka mbrojtur me sukses tezën e magjistraturës (1997) dhe më pas disertacionin e doktoratës (2003) mbi gjuhësinë ballkanike. Gjatë periudhës 2011–2019, ishte përfshirë në një projekt të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Progresit Teknologjik të Republikës së Serbisë të quajtur Gjuhët dhe kulturat në kohë dhe hapësirë. Përveç pjesëmarrjes në shumë kongrese dhe mbledhje kombëtare dhe ndërkombëtare, ka botuar deri më tani, si autor dhe bashkautor, artikuj në revista të rëndësishme dhe koleksione monografish kushtuar gjuhësisë kontrastive dhe krahasimtare të Ballkanit (morfosintaksa e rasave dhe kohëve të foljes), frazeologjisë, sociolinguistikës, standardizimit historik të gjuhëve moderne ballkanike dhe mësimit të tyre. Ai është gjithashtu autori i disa librave, si p.sh. Ballkani dhe Ballkanologjia, Hyrje në Studimin e Evropës Juglindore /2003/, Gramatika e Gjuhës Moderne Greke / 2007 /, Fjalori greqisht-serbisht i idiomave /2007/, Anekdota nga Antikiteti Klasik Helenik /2007/, Një histori e shkurtër e Greqisë - Greqia e lashtë, Bizanti, Periudha Bashkëkohore dhe Moderne /2007/, Anekdota dhe fakte interesante për Ballkanin /2008/, Nga Frazeologjia Ballkanike /2016/.
Bashkëpunëtorët profesionalë
Sanja Miketiq Subotiq ka lindur në 1986 në Pejë. Në vitin 2008, është diplomuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (me seli në Mitrovicë), Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Serbe. Përveç gjuhës serbe, është diplomuar gjithashtu në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në të njëjtin fakultet. Ka përfunduar studimet e doktoratës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Beogradit, ku ka mbrojtur disertacionin “Qëndrimet ndaj gjuhës te studentët në Republikën e Serbisë (Universiteti i Beogradit dhe Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë si studime rasti)”. Është e punësuar në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Serbe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (me seli në Mitrovicë) që nga viti 2008, fillimisht si mësimdhënëse e asociuar dhe asistente, më pas, në vitin 2017, është zgjedhur si profesoreshë asistente e gjuhës bashkëkohore serbe. Ajo e ka drejtuar interesin e saj shkencor drejt kërkimeve sociolinguistike dhe leksikologjike. Përveç mësimdhënies, është e angazhuar edhe në punë shkencore, si studiuese e projekteve të financuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Serbisë. Është autore e disa punimeve shkencore të botuara në revista të specializuara, si edhe në punimet e konferencave shkencore. Ajo është gjithashtu bashkautore e librave shkollorë të përdorur për mësimin e gjuhës serbe në Kosovë (në nivelet A1, A2 dhe B1).
Vllado Gjukanoviq (Beograd, 1960). Është diplomuar dhe ka marrë gradën e magjistrit në Fakultetin e Filologjisë në Beograd. Nga 1988 deri në 2003 ka punuar në Institutin e Gjuhës Serbe të Akademisë së Shkencave të Republikës së Serbisë. Midis viteve 2003 dhe 2020, ka qenë pronar dhe drejtor i ndërmarrjes Leksikom - jezički inženjering d.o.o. nga Beogradi, ku ka udhëhequr projekte në fushën e gjuhësisë së zbatuar. Që nga viti 2002, ka punuar në projekte Microsoft për lokalizimin e softuerit si terminolog dhe moderator i gjuhës serbe. Është autor i një gramatike dhe bashkautor i disa fletoreve pune për klasën e 5-të, 6-të, 7-të dhe 8-të të shkollës fillore, si edhe një nga bashkautorët e Fjalorit sllovenisht-serbisht dhe serbisht-sllovenisht. Ai është gjithashtu autor i skenarëve të emisioneve me tema gjuhësore, të cilat janë transmetuar në programet e Radio-Televizionit të Serbisë (Govori kako treba, 1995; Kako se kaže, 1996; Dosije Iks i Oks, 2007), si edhe i emisionit “Srpski na kašičicu”, e cila është transmetuar në Politika TV (2001–2002). Që nga viti 2004, ai ka redaktuar dhe udhëhequr emisionin “Put u reči” në Radio Beograd 2.
Ojq “Qendra për Iniciativa Sociale” - përpunimi i bazës së të dhënave, digjitalizimi dhe dizajnimi.